Video konferencat si pjesë e të mësuarit online në kohë reale

Video konferencat si pjesë e të mësuarit online në kohë reale

KPN March 30, 2020

Video konferencat lejojnë dy ose më shumë njerëz të kenë një komunikim në kohë reale përmes zërit dhe imazheve. Ҫka do të thotë, se komunikimi në kohë reale (komunikim sinkron) mund të jetë përmes audio, video, bisedë përmes tekstit e shumë mundësi të tjera që do te ndihmonin ne ngritjen e nivelit të interaktivitetit në mes të pjesëmarrësve të kësaj video konference.  Kjo mënyrë e të komunikuarit mund të realizohet duke përdorur infrastrukturën e rrjetave IP apo edhe atë të telefonisë.

Për të realizuar një video konferencë të suksesshme, mjafton që përdoruesit fundor të kenë paisjet per audio/video bisedat (PC, kufjet dhe dëgjueset), dhe të përcaktohen për softuerin që do të përdorin për të kryer një shërbim të tillë, shembull: Skype, Viber, Facebook e shumë ofrues të tjerë, që sot është shumë lehtë të instalohet në kompjuterin apo telefonin tuaj.

Megjithatë, nëse në këtë rast dëshirojmë të realizojmë video konferenca me një numër më të madh të pjesëmarrësve (siç është rasti i shkollave fillore, te mesme apo edhe Universiteteve), atëherë përveç kërkesave të përdoruesit fundor të cekura më lart, për ne është shumë me rëndësi edhe infrastruktura që e posedojmë. Kjo e fundit është tejet me rëndësi nëse ne vendosim të ofrojmë një shërbim të tillë për masën. Varësisht numrit të pjesëmarrësve që do të mbështesë një platformë/softuer i tillë, ne duhet të përcaktohemi edhe për topologjinë e rrjetit që do të përdorim si pjesë teknike infrastrukturore, që duhet të kemi parasysh. Në kontekstin e këtij artikulli, fjala topologji, apo topologjia e rrjetit nënkuptohet mënyra logjike e lidhjes së paisjeve kompjuterike në mes veti. Aktualisht, kemi tri qasje të ndryshme topologjike për të ofruar një video konferencë, topologjia Peer-2-Peer (tutje P2P), njësia selektive përcjellëse (tutje: NSP), dhe njësia e kontrollit të shumëfishtë (tutje: NKS).

Numri i pjesëmarrësve në këtë video konferencë do të duhej të ishte njëri prej kritereve përcaktuese për përzgjedhjen e topologjise përmes të cilës do të ofronim video konferencën. Pasi që me rritjen e pjesëmarrësve, rritet njëkohësisht edhe gjerësia e brezit (bandwidth-i) që duhet transmetuar zërin edhe imazhet në kohë reale tek të gjithë pjesëmarrësit.  Tutje, kjo rritje e numrit të pjesëmarrësve do të afektonte edhe performancën e procesorit (tutje CPU) të kompjuterit (andaj duhet te kemi parasysh edhe specifikacionet e tyre) pasi në kohë reale edhe zëri edhe imazhet duhet të kodohen dhe de-kodohen në formate të përshtatshme për t’u transmetuar në njërën anë, dhe për tu përshtatur për përdoruesin fundor në anën tjetër.  

Toplogjia P2P (mesh), do të mund të përdorej si topologji e cila do të ofronte lidhje direkte në mes pjesëmarrësve të video konferencës, në këtë rast secili pjesëmarrës do te lidhej me secilin (Shih Figurën 1). Por nëse kemi rritje të pjesëmarrësve ngarkesa e gjerësisë së brezit do të rritej, në këtë rast çdo rritje e pjesëmarrësve pas pjesëmarrësit të tretë do të degradonte cilësinë e thirrjes në mënyrë eksponenciale.  

Figura 1. Topologjia Peer-2-Peer (P2P)

Topologjia NSP pranon trasnmetimet audio dhe video nga të gjithë pjesëmarrësit me të njëjtin gjerësi të brezit në një paisje qëndrore, dhe më pastaj pjesëmarrësit pranojnë përmes kësaj qendre transmetimin e video dhe audio mesazheve nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në linja transmetuese (streaming lines) të veçanta. Pasi që rritja e numrit të linjave transmetuese brenda trafikut rritet varësisht numrit të pjesëmarrësve, topologjia NSP në këtë rast ofron mundësinë që pjesëmarrësit mund të përcaktohen se prej cilës linjë trasmetuese dëshirojnë të kenë trafik më cilësor, dhe ky përcaktim do të kishte për pasojë degradimin e cilësisë së linjës transmetuese te të  gjithë pjesëmarrësve të tjerë. Në këtë rast, NSP-ja do t’iu adaptohej kërkesës se secilit pjesëmarrës, dhe do të favorizonte cilësinë e linjës transmetuese të atij pjesëmarrësit për të cilën janë përcaktuar të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.  Do të thotë, prej të gjithë pjesëmarrësve , linjën e komunikimit me cilësinë më të lartë do t’ia dedikonin vetëm një përdoruesi. Në këtë rast mund të ishte linja e mësuesit, i cili do të shfrytëzonte kapacitetet më të mëdha për të ofruar mësimdhënien online (shih Figurën 2).

Figura 2. Topologjia njësia selektive përcjellëse (NSP)

Për dallim nga NSP, e cila pranon dhe dërgon video dhe audio trasmetimet prej pjesëmarrësit hostues tek të gjithë pjesëmarrësit tjerë, topologjia NKS pranon të gjitha transmetimet (streams), kodon dhe dekodon ato, pastaj kombinon të gjitha kanalet trasnmetuese të pjesëmarrësve në një kanal të vetme transmetuese, e më pastaj trafikun e kombinuar e dërgon tutje tek të gjithë pjesëmarrësit përmes atij kanali të përbashkët (shih Figura 3).

Figura 3. Topologjia njësia e kontrollit të shumëfishtë (NKS).

NKS, për dallim nga topologjitë e tjera favorizohet sidomos atëherë kur kemi të bëjmë me më shumë se 10 pjesëmarrës në video konferenca, dhe për më shumë kjo topologji mund të mbështet sinjalizimin e pjesëmarrësve përmes protokolleve sinjalizuese SIP ose H.323, protokolle këto që përdoren në rrjetat kompjuterike për të ndarë trafikun UDP nga ai TCP, apo thënë më shkurt, trafikun e kohës reale (që në këtë rast e kemi zërin i cili duhet të transmetohet në kohë reale), prej atij trafiku që mund të transmetohet në kohë jo reale, që do të thotë se ka tolerancë më të madhe (shembull,  shfletimi I ndonjë faqe te internetit).  Topologjia NKS, për dallim prej topologjisë NSP ka vonesë shumë të ulët (aq sa nuk dallohet nga shqisat tona) prandaj edhe shumë rrallë mund të manifestohet ndërprerja e zërit, mos përputhja e zërit me imazhin, ngrirja e imazhit etj.

Tash për të gjithë ju që jeni të interesuar të shfrytëzoni video konferencat për mësimdhënie dhe mësimnxënie gjatë kësaj kohe pandemie, vjen pyetja:

  1. Nëse dëshironi të ofroni shërbime për video konferenca përmes infrastrukturës në Cloud?
  2. Nëse dëshironi të ofroni shërbime për video konferenca përmes infrastrukturës në shkollat/kampuset tuaja?

Me pastaj,  pasojnë pyetjet:

  1. Dëshironi të ofroni këtë shërbim përmes ofruesve komercial që kanë infrastrukturën e tyre në Cloud? Siç janë: Zoom, Adobe Connect,  WebEx, Microsoft Team, Google Meet etj, që fatmirësisht në këtë kohë pandemie janë solidarizuar me gjithë popullatën globale dhe janë duke ofruar shërbime të kufizuara por deri në një nivel edhe të kënaqshme pa pagës.
  2. Apo dëshironi të ofroni këtë shërbim përmes platformave me kod të hapur (open-source)? E që pastaj këtyre platformave duhet të ju përgatitet nga ana jonë infrastruktura adekuate, qoftë ajo në Cloud apo edhe në shkolla/kampuse.

Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve do të më hapte rrugën për të shkruar artikullin e dytë, pikërisht për të ju lehtësuar vendimmarrjen, dhe natyrisht të njoftoheni për kompromiset që duhet të merrni në momentin që përcaktoheni për cilëndo përgjigje potenciale.

Translate »